Abdixhiku: Presidentja dhe VV u shprehën pozitiv, pastaj gjithçka u la në heshtje
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklarimit të presidentes Osmani dhe komenteve që pasuan nga zyrtarë të Vetëvendosjes. Ai thotë se e vërteta rreth negociatave për shmangien e krizës politike po shtrembërohet qëllimisht.
Abdixhiku shpjegon se në mbrëmjen kur Glauk Konjufca u nominua mandatar, i kishte shprehur presidentes gatishmërinë që të votohej një pako e përbashkët. Sipas tij, ajo pako do të përfshinte zgjatjen e buxhetit për tre muaj, votimin e ligjeve për Prishtinën e Gjilanin, pagat e RTK-së dhe Pakon Evropiane të Rritjes.
Ai thotë se presidentja e kishte kontaktuar po atë natë, duke i thënë se kishte folur me mandatarin dhe se Vetëvendosje ishte shprehur “shumë pozitive” për idenë. Pas kësaj, Abdixhiku thotë se kishte njoftuar edhe kryetarët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës, si dhe disa ambasadorë të QUINT-it, se ekzistonte mundësia për ta kaluar këtë pako.
Sipas tij, për 15 ditë nuk kishte pasur më asnjë lëvizje. Ai e quan këtë periudhë si humbje të qëllimshme kohe para krizës së paralajmëruar, duke e parë si tendencë për të krijuar faj politik.
Abdixhiku thotë se propozimi i tij u rikthye vetëm në momentin e caktimit të zgjedhjeve, kur tashmë presidentja kishte nënshkruar dekretin për shpërbërjen e Kuvendit. Edhe atëherë, ai thekson se kishte deklaruar se LDK nuk ishte kundër, nëse ekzistonte gatishmëri nga të gjithë.
Ai shprehet i habitur se si, sipas tij, këto detaje po anashkalohen me kaq lehtësi. Shton se bllokada ka qenë e qëllimshme dhe po zgjat prej 12 muajsh.
Në fund, Abdixhiku thotë se Kosova mund të dilet shpejt nga kjo situatë dhe se vendi mund të ecë përpara, nëse ka vullnet politik: “Kosova mund të bëhet lehtë. Është e jona. Do ta bëjmë.”/Kosova.info
