Abdixhiku nis platformën “Hajde Folim”: Politika duhet të jetë mes njerëzve
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka prezantuar platformën e re të komunikimit me qytetarë “HAJDE FOLIM”, një nismë që synon bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me qytetarët në të gjitha qytetet e Kosovës.
Abdixhiku bëri të ditur se takimi i parë u mbajt në Kurriz, ndërsa iniciativa do të vazhdojë në çdo anë të vendit, larg “skenografive protokolare” dhe filtrave politikë.
Sipas tij, platforma synon të sjellë politikën më afër qytetarëve duke dëgjuar shqetësimet, zhgënjimet, shpresat dhe idetë e tyre për Kosovën.
“Politika nuk duhet të jetojë e mbyllur në zyra, studio televizive apo rrjete sociale. Politika duhet të jetë mes njerëzve”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai theksoi se Kosovës i duhet më pak propagandë dhe më shumë dëgjim duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në takimet e ardhshme të platformës “Hajde Folim”. /Kosova.info/
