Abdixhiku akuzon VV-në për ngërçin politik: Zgjedhjet e jashtëzakonshme të pashmangshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit të kryesisë së partisë që drejton, tha se Kosova po mbahet peng i një njeriu të vetëm.

“LDK-ja ka lëvizur nga pozicioni i vetë me tendencë të qartë për zhbllokimin e situatës. Pra nuk kemi dashur asgjë për veti. Kemi dashur Qeveri të Unitetit për muajt e mbetur në mënyrë që të shmanget kriza institucionale. Fatkeqësisht jemi peng kolektiv i një njeriu të vetëm i cili nuk e kupton as demokracinë as pragmatizmin, nuk e kupton as nevojën që duhet për shumicë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se LDK-ja nuk mund të bëjë asgjë më shumë se kaq. “Sepse fatkeqësisht partia e parë ka të gjitha mekanizmat për të mbajtur këtë kapje të paligjshme, jo logjike e të dëmshme të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kreu i LDK-së tha se dërguan lëndë të re në kushtetuese sepse konsiderojmë që ka një akt jo më një dyshim të përmbysjes së rendit kushtetues nga partia e parë.

“Sepse ka një konsensus të gjerë, edhe të partive politike e besa edhe të presidentes se mënyra e votimit nuk mund të bëhet në mënyrë arbitrare. Imponimi e arbitrariteti në seancë konstituive është praktike jo kushtetuese”, tha ai.

Abdixhiku tha se fatkeqësisht nuk i kanë 48 deputetë sepse konstituimi do të ndodhte ditën e parë.

“Fatkeqësisht ne nuk i kemi 48 deputetë, secila palë në Kosovë po t’i kishte 48 deputetë, konstituimin e Kuvendit do ta bënte të parën ditë e të parën punë. Ka tendencë të partisë së parë të vazhdojë tutje me bllokadë”, tha ai.

Kryetari i LDK-së u deklarua edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Është mirë të ketë zgjidhje politike, por nëse nuk ka vullnet për zgjidhje politike ne pashmangshëm po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja”, deklaroi ai.

Tha se LVV-ja e refuzoi unitetin e në ndërkohë, sipas tij,  vazhdojnë me ofendime mëngjes e mbrëmje. “Që na japin më shumë arsye dhe t’iu shpjegojmë anëtarësisë sonë dhe votuesve pse bashkëpunimi me ta është i pamundur”, tha Abdixhiku.


Go to TOP