A pati punësime familjare e partiake në KEK? 

Kritika dhe akuza të shumta në adresë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, janë bërë dy ditët e fundit me pretendimet se zyrtarë nga ky subjekt politik kanë interferuar në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës duke punësuar militantë partiakë dhe familjarë të tyre. Kryeminsitri Kurti ka thënë se thënë se në qeverisjen e tij nuk ka punësime të militantëve. Por, pas akuzave publike Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar hetime lidhur me këto punësime.

Më e zëshmja në akuzat për nepotizëm dhe punësime partiake në KEK ishte LDK-ja. Fillimisht, ky subjekt politik reagoi përmes zëdhënëses Sibel Halimi, e cila tha se LVV ka punësuar militantët e vet partiakë dhe ka bërë padrejtësi në konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK).

E më vonë edhe vet kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar partinë që drejton me Qeverinë se kishte paracaktuar personat që do të punësoheshin nga konkursi publik.

Ai tha se LVV po zëvendëson kapjen e shtetit me një kapje të re.

Kreu i LDK-së paralajmëroi se gjatë ditës së nesërme (e mërkurë) do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori, derisa ka bërë thirrje për anulimin e konkursit.

Mirëpo, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar pa pritur që Abdixhiku të bëjë kallëzim penal.

Nënkryetari i PSD-së, Nol Nushi ka thënë se deri më tani nuk është parë një punësim kaq masiv i familjarëve dhe militantëve në një ndërmarrje publike.

“Paramendojeni nga 4,600 qytetarë që kanë aplikuar ti i ke gjetur 126 familjarë për t’i punësuar. Kjo tregon për një ndërmarrje të pastër punësimi që është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Do të duhej të mjaftonte vetëm kjo që ky konkurs të anulohet”, deklaroi Nushi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur fillimin e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë mbi punësimet e reja në një konkurs të KEK-ut, duke thënë se çdo pretendim për parregullsi të mundshme duhet të merr epilogun nga drejtësia.

Por, ajo ka thënë se akuzat e tilla kanë më tepër për qëllim ta dëmtojnë Vetëvendosjen sesa që diçka e tillë qëndron.

“Vetëvendosje nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë asnjëherë në procese të tilla. Vetëm personat që e meritojnë t’i marrin ato pozita do t’i marrin. Asnjëherë kriter për punësime s’do të merret anëtarësia partiake. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të trajtohen të barabartë“, ka deklaruar Haxhiu për RTK.

Pas gjithë kësaj edhe Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një sqarim për konkursin, ku u raportua për punësime të familjarëve dhe militantëve të partisë në pushtet.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar 4668 kandidat, janë publikuar rezultatet përzgjedhjes për 128 pozita. Ndërsa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt”, thuhet në sqarim.

Më tej thuhet se “Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”.

Sipas KEK-ut, do të shqyrtohen të gjitha ankesat dhe do të merren masat adekuate konform ligjit.

“Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thotë KEK-u.

Mirëpo, nga sindikata e KEK-ut thonë se politika që nga paslufta e ka dëmtuar ndërmarrjen publike.

“Konkurset asnjëherë nuk kanë qenë të rregullta dhe ne nuk kemi kërkuar të përfshihemi në to pasi mund të përlyhemi”, ka deklaruar nënkryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

E, lidhur me akuzat për punësime partiake, është deklaruar të martën edhe Albin Kurti, i cili ka thënë se në qeverisjen e tij nuk ka punësime të militantëve.

“Janë komisionet ato të cilat bëjnë përzgjedhjen e të punësuarve”, ka deklaruar ai të martën në Prizren. 

Go to TOP