A ishte sulm terrorist ai i mbrëmshmi në Gllogjan? Flet eksperti i sigurisë
Vazhdon edhe më tutje të diskutohet rasti i mbrëmshëm tragjik në Deçan, ku pas një sulmi të armatosur u vranë tre persona, gjegjësisht shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Edhe pse janë bërë thuajse më shumë se 18 orë që nga ngjarja që tronditi mbarë vendin, i dyshuari është në arratisje, teksa organet kompetente kanë aktivizuar të gjithë mekanizmat e nevojshëm për ta mbyllur sa më shpejtë rastin e kobshëm.
Ishte vet kreu i komunës, Bashkim Ramosaj, që dje tha se mund të kemi të bëjmë me një sulm terrorist, ani pse tha se duhet pritur që drejtësia të vihet në vend.Nëse ka qenë apo jo një sulm potencial terrorist, GazetaBlic ka kontaktuar me ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ibishi tha se duke e parë situatën rasti i mbrëmshëm nuk mund të jetë terrorist.“Unë si e vlerësoj, pra sipas meje, nuk e shoh të tillë.
Kjo pasi, sipas asaj që raportohet e dyshohet nga Policia, sulmuesi ka qenë me kallashnikov, çka do të thotë se ai ka pasur synim dikë. Pra, s’është terrorist, por akt kriminal me tri viktima”, tha mes tjerash Ibishi.
Tutje ai e sheh si problem të madh praninë e madhe të armëve ilegale nëpër shtëpitë e qytetarëve, tashmë kur kanë kaluar mbi 22 vite nga lufta.“Është më se e vërtetë se prania e shumtë e armëve ilegale në shtëpitë e qytetarëve është problem në vete, tashmë kur kanë kaluar 22 vite që nga përfundimi i luftës. Duhet angazhim rreth kësaj çështjeje. Po vërehet nga rastet që njerëzit posedojnë edhearmë ushtarake”, përfundoi Ibishi.
