Stano: Propozimi europian nuk ka nevojë të nënshkruhet
Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, tha sot se propozimi evropian, i cili u diskutua të hënën në Bruksel nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është tekst që duhet të nënshkruhet.
Stano, duke iu përgjigjur pyetjes nëse propozimi evropian është përfundimtar apo ka mundësi për ndryshimin e tij, theksoi se nga vetë teksti i propozimit është e qartë se asnjëherë nuk ka qenë për nënshkrimin e atij dokumenti.
“Nga teksti është e qartë se nuk ka qenë asnjëherë për nënshkrim. Takimi i së hënës së kaluar iu kushtua diskutimit të propozimit evropian. U miratua nga të dyja palët se nuk nevojiten diskutime të reja në lidhje me propozimin evropian, i cili tani është një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha Stano.
Ai tha se të hënën ka pasur një marrëveshje mes të pranishmëve që puna për propozimin të thellohet.
“Për sa i përket diskutimit për zbatimin, duhet të sigurohet që të ketë hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha Stano.
Ai nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e liderëve, por ka theksuar se deklarata e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell, të cilën e ka dhënë pas takimit në Vuçiq dhe Kurti, është pranuar nga të dyja palët para se të prezantohej publikisht.
