Vizita e pesëshes ndërkombëtare në Kosovë, Lutfi Haziri: Kurti një hap para e dy mbrapa në dialog

Pesë emisarët ndërkombëtar për dialogun qëndruan dje në Kosovë.

Ata patën një takim të gjatë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ky takim u cilësua i sinqertë, por jo edhe i lehtë, shkruan Front Online.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një deklaratë para mediave, tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Lidhur me vizitën e tyre në vend, ka folur nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ai pa dashur të komentojë mesazhet që dolën nga ky takim, tha për Front Online se i njëjti nënkupton shtyrje përpara të procesit në dialog.

“Kjo vizitë ka qenë e paralajmëruar dhe një vizitë e tillë ka të bëjë me angazhime konkrete, dhe krijimin e rrethanave për vazhdimin e dialogut, në veçanti progresin që duhet me u mbërri në dialogun Kosovë-Serbi. Tani ky është një prej takimeve të para në janar sepse kthimi në agjendë nënkupton shtyrje përpara të procesit në dialog”, ka thënë Haziri për Front Online.

Sipas tij, kryeministri Kurti sa i përket çështjes së dialogut më shumë po shkon prapa sesa para.

“Kurti deri tani një hap para e dy mbrapa po vazhdon me atë logjikën e tij të punës edhe me ndërmjetës ndërkombëtar edhe me shtetet e Quint-it, edhe me gjithë partnerët e Kosovës dhe kjo edhe arsyeja se përse është shkaktuar një tension në marrëdhëniet me gjithë këta”, është shprehur Haziri.

Por, a e sheh se shpejtë mund të arrihet marrëveshja finale.

“Kjo është çështje krejt e angazhimeve që nuk varen krejt edhe në Prishtinë sepse një pjesë e madhe e punës është edhe me Beogradin zyrtar dhe nuk varet krejt nga vullneti i palëve për të negociuar sepse ndërmjetësit ndërkombëtar sado që kanë vullnet me kriju rrethana të reja apo një momentum në dialog që me pas progres, varet nga sjellja e palëve”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ndërsa, ka një porosi për kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

“Në këtë rast kryeministri jonë si negociator në emër të Kosovës duhet me vazhdua dialogun pa asnjë lloj hezitimi dhe duhet me e finalizua një marrëveshje që e ka njohjen dhe vetëm njohjen si rezultat kryesor dhe asgjë tjetër”, ka deklaruar Haziri.

Në takim me kryeministrin Kurti, përveç Lajçakut morën pjesë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Pas vizitës në Prishtinë, ata do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Go to TOP