Deklarohen të pafajshëm nëntë doganierët e akuzuar për korrupsion dhe katër të akuzuarit tjerë
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, janë deklaruar të pafajshëm nëntë doganierët e akuzuar për korrupsion Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku, Dritan Hasimja dhe Driton Kurshumlija. Të pafajshëm u deklaruan edhe të akuzuarit tjerë Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha.
Në këtë rast, për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” po akuzohen Malaj, Bobi, Dana, Zeka, Berisha, Videsavlejevic, Oseku dhe Hasimja, ndërsa i akuzuari Kurshumlija ngakohet për veprën penale “marrja e ryshfetit”.
Kurse, Valdet dhe Vullnet Syla, Arifaj dhe Rexha po akuzohen për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar”.
Në seancën e së premtes, pasi të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë, janë dhënë fjalët hyrëse nga prokuroria, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.
Prokurorja Ervehe Gashi, në fjalën hyrëse ka thënë se prej dispozitivit 1 e deri në dispozitivin 37, nga provat materiale të cilat i ka siguruar dhe i ka propozuar në aktakuzë, si dhe nga deklaratat e dëshmitarëve të propozuar, do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në të gjitha pikat e aktakuzës, ashtu si është e përshkruar për secilin të pandehur veç e veç dhe në bashkëkryerje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besart Malaj, avokati Tefik Vokshi ka thënë se kjo aktakuzë nuk do të argumentohet dhe se gjatë gjykimit do të vlerësohet secila provë veç e veç, se një pjesë e madhe do të kundërshtohet dhe gjykata do t’i shpallë të papranueshme.
Mbrojtësja e të akuzuarit Dritan Hasimja, avokatja Shpresa Bakija ka thënë se fjalën e saj hyrëse ka dorëzuar me shkrim, ndërsa shtoi se me asnjë provë nuk është vërtetuar se kanë bartur mall e që me dëgjimin e dëshmitarëve dhe provave të tjera do të vërtetohet se aktakuza e prokurorisë nuk qëndron.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Bobi, avokati Florent Latifi ka thënë se aktakuza është ngritur vetëm në supozime se në ato furgona të ketë pasur mall siç përshkruhet në dispozitivë të aktakuzës, dhe se provat e paraqitura në aktakuzë janë provat të cilat janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Dana, avokati Egzon Doli ka thënë se aktakuza përmban të meta formale për shkak se e njëjta është ngritur përtej afateve ligjore dhe se do të vërtetohet se një pjesë e konsiderueshme e provave në këtë çështje penale kanë të meta formale dhe në kuptimin inkriminues, e që nuk e përfshijnë të mbrojturin e tij për veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zeka, avokati Halim Shala ka thënë se aktakuza është e pabazuar ligjërisht sepse shkeljet administrative organi i akuzës i ka shndërruar në vepër penale, materializimi i tyre në lidhje me veprimet Zekës janë të pamundura dhe se me shqyrtimin e provave gjykata të marrë aktgjykim lirues.
Mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Fitim Shporta ka thënë se në veprimet, respektivisht moveprimet e të mbrojturit të tij si për nga forma, lloji dhe mënyra e kryerjes, nuk qëndrojnë elementet qenësore që formojnë figurën e veprës penale për të cilën ngarkohet i njëjti dhe se pafajësia e tij do të vërtetohet në procedurë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Videsavlejevic, avokati Shyqri Syla ka thënë se pas një vlerësimi të drejtë dhe objektiv të dëshmive dhe provave të propozuara nga prokurori dhe provat që do t’i propozojë do të dëshmohet pafajësia e të mbrojturit të tij dhe se gjykata do të marrë aktgjykim lirues.
Mbrojtësi i të akuzuarit Oseku, avokati Behar Avdyli ka thënë se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se i mbrojturi tij ka pasur për qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore, se nuk është vërtetuar me asnjë provë dhe pas administrimit të provave nga gjykata do të vërtetohet pafajësia e të njëjtit se nuk është përgjegjës për veprat penale për të cilat akuzohet.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Kurshumlija, avokati Korab Vokshi ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se aktakuza në raport me të akuzuarit është në kundërshtim me parimet themelore dhe se me dëgjimin e dëshmitarëve do të vërtetohet edhe kredibiliteti i tyre.
I akuzuari Vullnet Syla ka thënë se porkuroria nuk ka asnjë provë lidhur me fajësinë e tij dhe që gjatë shqyrtimit të provave do të vërtetohet pafajësia e tij.
Mbrojtësi të akuzuarit Valdet Syla, avokati Fazli Brahaj ka thënë se aktakuza është pabazuar, ngase në faqen 51 të aktakuzës theksohet se malli është gjetur duke mos dhënë arsye se cili ka qenë, kombi i kujt ka qenë, kush ka bërë vendosjen dhe cilat janë veprimet konkrete individuale të të mbrojturit të tij në raport me kontributin e tij dhe mallin e gjetur dhe se pafajësia e tij do të vërtetohet.
Ndërsa, mbrojtësit i të akuzuarit Arifaj, avokati Asdren Saramati ka thënë se nuk ka provë materiale që vërteton apo arsyeton dispozitivitn e aktakuzës në raport me të mbrojturin e tij dhe nuk ka dëshmi apo dëshmitar që vërteton çfarëdo veprimi inkriminues të të mbrojturit të tij.
Në fund, i akuzuari Rexha ka thënë se gjykata do të vërtetojë pafajsëinë e tij, sepse nuk ka prova për akuzat që i ngarkohen.
Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 20 dhe 23 mars 2023.
Ndërsa, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi ka thënë se seanca e paraparë për 24 janar 2023 anulohet.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021-ës, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.
Ndërsa, të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 8 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” në vazhdimësi nga neni 421, par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale “Kontrabandim me mallra” nga neni 317, par. 2, veprën penale “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, par.2 si dhe veprën penale “Tregti e ndaluar”, nga neni 305, par. 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
