Hajdari thotë se vitin e ardhshëm do të jetë klimë më e mirë për biznes

Në konferencën e fundvitit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shpalosur proceset më të rëndësishme të këtij viti, e ndër to u përmend përfundimi i strategjisë për zhvillim të industrisë dhe përkrahje të bizneseve. Ministrja Rozeta Hajdari tha se Kosova në muajt janar-shtator të këtij viti ka pasur rritje të investimeve nga jashtë, deri 43.6 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Përmirësimi i mjedisit i të bërit biznes dhe strategjia për zhvillimin e turizmit për vitin 2023 – 2030  janë vlerësuar ndër sukseset për këtë vit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Në konferencën e fundvitit, ministrja Rozeta Hajdari tha se vizioni i politikës industriale është që deri në vitin 2030 vendi ynë të prodhojë produkte të cilësisë së lartë dhe të ofrojë punësim të denjë.

“Gjatë këtij viti ne kemi paraqitur nisjen e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të ETA – as, dhe kjo marrëveshje mbulon fusha të ndryshme në të cilat palët do të kërkojnë bashkëpunim më të mirë”, thotë Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Gjatë këtij viti kjo ministri ka hartuar 10 ligje dhe 25 udhëzime administrative, e disa prej tyre u aprovuan edhe në Kuvend.

“Ligji për markat tregtare, ligji për topogrfitë e gjysëm përçuesve, ligji për inspektimet një reformë e mirëpritur për shumë vite, për patentata, për dizajnin industrial, për mbrojtjen e sekreteve tregatre”, thotë Hajdari.

Gjatë 2022-s janë rritur edhe rezervat shtetërore për produktet bazike dhe kontrollet ndaj cilësisë së naftës, ku janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburant jocilësor.

Go to TOP