Kurti në takim me sekretaren e shtetit të Gjermanisë, flasin për bashkëpunim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Siemtje Möller, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, njëherësh Zëvendësministre e Mbrojtjes.

I pari i ekzekutivit shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Bëhet e ditur se duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri theksoi dhe rolin e rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë.

“Ai vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian”.

Po ashtu ng zyra e kryeministrit njoftojnë se u bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

Ndërkaq, sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe u theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit.

Go to TOP