Përtej hajgareve në Kuvend/ Konjufca gojëkyçur për zhgënjimin e SHBA-ve me qeverinë për targat
Shkakton shpesh të qeshura në Kuvendin e Kosovës dhe i ndihmon atmosferës pozitive të punës nëpër seanca, por Konjufca është parë krejt pak të përfshihet në çështjet e rëndësisë së madhe për Kosovën.
Njëlloj ka ndodhur edhe së fundmi për çështjen e vendimit për targat nga qeveria e Kosovës, vendim me të cilin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndarë fort të zhgënjyera e të shqetësuara.
Në një reagim të tyre, SHBA-të kanë shprehur se përveç zhgënjimit e shqetësimit, Kosova e Serbia urgjentisht duhet të punojnë në mënyrë fleksibile për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh me njohje reciproke.
“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, u tha në komunikatën e DASH-it.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibile për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, u tha në komunikatën e lëshuar nga Price.
Për këtë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nuk e tha ASNJË fjalë. Njësoj si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe Konjufca zgjodhi heshtjen përpara deklarimit për këtë çështje. Arsyet? Mbesin të panjohura.
Qeveria e Kosovës, para tre ditësh mori një vendim me të cilin, në shpërputhje me kërkesën e SHBA-ve dizajnuan një “sekuencim” dhe “shkallëzim” për ta bërë më komplekse shtyrjen e afatit, që në fund të fundit, përsëri i la të zhgënjyer miqtë ndërkombëtarë.
“Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo GJA janë targa ilegale, qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale që të njëjtat t’i kthejnë në targa zyrtare RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me ministrinë e linjes dhe organet e sigurisë dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi për 3 javë nga data 1 nëntor deri në 21 nëntor, masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori, për 2 muaj deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë, dhe prej datës 21 prill, pas së cilës datë nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Nëpërmjet këtij sekuencimi dhe shkallëzimi ne tregojmë edhe njëherë seriozitet që pa dyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë por në të njëjtën kohë t’iu japim kohë të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen. Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin, por edhe ta kemi ndjeshmërinë tonë për përkushtimin ndërkombëtar sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Vendimi nuk ndryshoi as pas zhgënjimit të SHBA-ve. Konjufca heshti. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh dhe nëse Konjufca do të gjejë kohë e do të marrë mundin që të reagojë për çështje të rëndësisë së tillë.

