Disa deputetë po kërcënohen, thotë Abazi
Deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka mbajtur konferencën e tij javore, ku ka folur për disa tema.
Abazi ka folur për kërcënime ndaj deputetëve që kanë vendosur të jenë pjesë e Grupit të Gjelbërt për tranzicionin energjetik.
Ky grup nuk është lejuar të formohet qe një vit e gjysmë, siç njofton Abazi.
Konferenca për media sot:
Parahyrje: si taktikë për të tërhequr vëmendjen nga konferenca për media, sot paskan caktuar takimin e komisionit hetimor për energjinë në ora 10:00.
Mirëmëngjesi të gjithëve, faleminderit që keni ardhur sot.
Para se të hyj në çështjet kryesore, dua të ju falënderoj për përcjelljen dhe rëndësinë që i keni dhënë vizitës së parlamentarit ukrainas z.Oleksei Goncharenko, i cili ka sjellë mesazhe të rëndësishme. E para, ajo çfarë e bën të përbashkët Kosovën dhe Ukrainën është që janë ballafaquar me gjenocidin, dhe e dyta, fakti që ky parlamentar përmendi rrugën e vogël dhe rrugën e madhe të Arnautëve në Odesa. Kjo është e një rëndësie të veçantë në marrëdhëniet tona dhe rolin e shqiptarëve në pika të rëndësishme të botës.
Le ti kthehemi temave:
➡️I. Kundërshtimi dhe kërcënimet për Grupin e Gjelbër – Tranzicioni energjetik si proces dhe kritika direkte qe kam bere në Draft-Strategjinë Kombëtare të Energjisë, e cila ka në fokus ndërtimin e kapaciteteve të reja nga qymyri është bërë shkak i përplasjeve dhe tani së fundi edhe i kërcënimeve direkte ndaj deputetëve të cilët kanë vendosur që të jenë anëtar të Grupit të Gjelbër. Do të thotë fakti që Grupi i Gjelbër nuk është lejuar të formohet që një vit e gjysmë, ka pasur për qëllim ngulfatjen e të gjithë zërave të artikuluar pro Agjendës së Gjelbër dhe kontrabandimit të një strategjie e cila në dukje mund të duket ambicioze, siç ka thënë Komisioni Evropian dhe është adoptuar nga të tjeret, por në përmbajtje fillon me qymyrin dhe mbaron me mungesë të plotë të zgjidhjeve afatgjata.
E kam thënë edhe herëve të tjera, që izolimi i ndërtesave pa kod të ndërtimit janë shpenzim me efekt minimal.
Të flasësh për energjinë e renovueshme pa kornizën ligjore të domosdoshme dhe me të gjitha barrierat prezente byrokratike, përfundon duke ëndërruar të gjelbërtën, e duke thithur ajrin e ndotur të Prishtinës. Është fatkeqësi që sot para jush më duhet të them që një nga anëtarët e Grupit të Gjelbër është tërhequr si pasojë e kërcënimeve dhe shantazheve që i është bërë nga kolegia e saj dhe po ashtu e njëjta po vazhdon t’i kërcënoj anëtarët tjerë të Grupit të Gjelbër. Çuditërisht, e njëjta deputete ka sabotuar formimin e Grupit të Gjelbër për më shumë se një vit e gjysmë.
Natyrisht, që nuk do të ndalemi por dua të ju informoj që nëse në të kaluarën spektri ynë politik ka përjetuar eliminim fizik të kundërshtarëve politik, sot me metoda të ulëta kërcënuese po tentohet që të shantazhohen anëtarët e Grupit të Gjelbër, me qëllim të mbytjes dhe ngulfatjes së zërit të atyre që mendojnë ndryshe apo kanë vizion tjetër nga ajo që mund të kenë ata.
➡️II. Procesi i Berlinit dhe targat – Pas një procesi dhjetëvjeçar të një dialogu që ka prodhuar shumë pak, për të mos thënë hiç fare, si dhe një pozicionimi të qartë të Kosovës në linjë me Bashkimin Evropian sa i përket Ukrainës, dhe në anën tjetër, Serbisë e cila ka qëndruar në anën e Rusisë, jemi në një moment udhëkryq dhe mendoj që përcaktimi ynë në dhjetë ditëshin e ardhshëm përcakton po ashtu edhe dinamikën e zhvillimeve për liberalizimin e vizave, për dialogun, por më e rëndësishmja nga të gjithat, është drejtimin që do të marrë Procesi i Berlinit.
3 Nëntori është një datë e rëndësisë së veçantë dhe përfundimisht e vendos rajonin në binarët e pandalshëm drejtë integrimit Euro-Atlantik. Koncentrimi ynë për ta bërë Procesin e Berlinit garantuesin kryesore të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit në Ballkan është domosdoshmëri për të mos i dhënë hapësirë ideve dhe proceseve të cilat kanë tentuar që ta lënë Kosovën jashtë lojës. Pozicioni ynë për targat sot është në parim i drejtë dhe i merituar. Por, arti i politikës dhe diplomacisë duhet të na e mundësoj që pozicionin parimor t’a kthejmë në favorin e interesit kombëtar. Më shumë se targat na duhet lëvizja e lirë dhe na duhet rikthimi i lëvizjes së qytetarëve tanë drejtë Sarajevës, një gjë që na është ndaluar më shumë se dy dekada. Andaj, për të mos i dhënë mundësi Serbisë që t’i kërcënoj qytetarët e Kosovës që kanë ndërruar targat në KS dhe për të mos i dhënë mundësi askujt që t’a sabotoj Procesin e Berlinit, propozoj që afati për targat të shtyhet për 31 dhjetor të këtij viti. Kjo po ashtu do të eliminonte të gjitha justifikimet për të ngritur tensione apo për të bllokuar rrugët në Veriun e rëndësishëm të Kosovës. Kjo është në frymën e orientimit tonë për integrim Euro-Atlantik.
➡️III. Qendra kulturore e diasporës – Ndërmjet dy konferencave për media, një numër i madh i qytetarëve nga Stambolli më kanë shkruar lidhur me mbyllje e Qendrës Kulturore në Stamboll. Kam tentuar që të flas me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje para se të dal në publik, nuk kam arritur që t’a adresoj këtë çështje. Rrjedhimisht, si deputet që kam marrë shumë vota nga diaspora dhe si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, e konsideroj të papranueshme që kjo qendër dhe cilado qendër tjetër kulturore të mbyllet. Nuk përjashtoj mundësinë që këto qendra duhet të reformohen, apo që menaxhimi i tyre të jetë më efikas, që të rritet qasja dhe gjithë përfshirja, por mbyllja nuk mund të jetë opsion. Këto qendra përveç se janë bërthama e organizimit të diasporës dhe mërgatës sonë, ato janë edhe simboli i mobilizimit dhe përkrahjes së luftës për arritjen e lirisë dhe pavarësisë tonë. Kërkoj me urgjencë që kjo gjë të adresohet dhe të mundësohet funksionimi i tyre.
Ju falemnderit!

