Sot i quajti “sindikalistë të PAN-it”: Kështu i përkrahte Kurti grevat pikërisht kundër PAN-it

Sot kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti edhe njëherë ka lëshuar një deklaratë në drejtim të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës për shkak të grevës që po vazhdon në sistemin e arsimit në Kosovë.
Kurti në një prononcim për media është shprehur se mësimi duhet të fillojë sa më parë.

“Duam që mësimi të filloj sa më parë, është dashur që të filloj me një shator. Jam i bindur që nxënësit duhet të shkojnë në shkollë, i bindur që prindërit duan që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, jam i bindur që edhe mësimdhënësit duan të japin mësim nëpër shkolla, po ashtu këtë bindje ka edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ne nuk duam që të bojkotohet shteti sepse shkolla është shteti”, tha ai.

Ai tha se është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Sipas tij, e gjithë është nga inati antiqeveritar. Madje, duke i quajtur sindikatat “të PAN-it”.

“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovës po mbahet peng, për përshtypjen time të fuqishme pas gjitha takimeve që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar. Një kurs kundër qeverisë së progresit dhe shpresës prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve i është ndalur sahati me pesë qershor 2017, dhe tani dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë duke e bërë grevën armë kundër qeverisë. Është për të ardhur keq sa shumë po humbin prej inatit qeveritar….. Nga data 15 shtator, pra tani e 10 ditë ndodhet një diskutim publik për ligjin mbi paga. Të gjithë mund ta japin kontributin e tyre duke diskutuar për ligjin mbi paga duke komentuar atë në mënyrë që më në fund ta kemi të rregulluar edhe sektorin publik, me pagë të dinjitetshme por gjithashtu edhe me kompensim të barabartë për punë e kontribute të barabartë”, përfundoi ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Por, është interesante se në vitin 2019, kur në Kosovë po mbahej grevë në sistemin e arsimit, pikërisht kundër qeverisë PDK-AAK-NISMA, Kurti asokohe përkrahte fuqishëm grevistët, madje duke thënë pikë për pikë të kundërten e asaj që thotë sot.

Atëherë në një status të tij në Facebook, të titulluar “Pabarazia vs. Varfëria”, Kurti aso kohe teksa fliste për grevën thoshte se prindërit dhe mësimdhënësit kanë të drejtë dhe kjo e bën më të vështirë situaten.

Ai e shihte pikërisht qeverinë si fajtore, dhe bënte thirrje që mësimdhënësit të vazhdojnë grevën, që të zvogëlohen pagat në qeveri dhe prindërit të vazhdojnë kundërshtimin që të rritet cilësia në arsim.

“Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre. Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram.”, shkruante Kurti.

Se cili është qëndrimi i njëmendtë i Kurtit ende nuk është kuptuar, por ajo që mund të vërehet se ka ndryshuar janë ndryshimi i qëndrimeve të Kurtit nga opozita në qeveri.

Go to TOP