Deklaratat e Kurtit “për luftë”, reagojnë nga KFOR-i: Jemi të përkushtuar për siguri
Kryeministri Albin Kurti së fundmi ka rikthyer në opinion edhe një herë çështjen e rrezikut “për luftë në Kosovë”.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime të shumta, duke kritikuar kështu retorikën e përdorur nga kryeministri Kurti.
Për këto deklarata kanë folur edhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ata kanë thënë se mbesin të përkushtuar për ofrimin e sigurisë në kornizën aktuale të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa nuk kanë folur direkt për deklaratat e Kurtit rreth një konflikti të armatosur.
“KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën do të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë një zyrtar i KFOR-it për lajmi.net.
Rrezikun për luftë kryeministri Kurti e kishte përmendur në konferenca për media edhe së fundmi kur serbët e Kosovës bllokuan rrugët për në kufi në veri të Mitrovicës.
Për këtë çështje kishte reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike – NATO, Jens Stoltenberg, i cili në një konferencë për media kishte deklaruar se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
Stoltenberg kishte deklaruar se mandati i misionit të NATO-s, KFOR-i, do të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët, duke dërguar gjithashtu sinjale që në rast të eskalimit të situatës, KFOR-i do të ndërhynte në veriun e Kosovës.
