Arsenali largohet me pikë të plota nga Zurichu
Arsenali ka marrë pikë të plota në udhëtimin në Letzigrund Stadion kundër FC Zurichut (2-1), në ndeshjen e parë të fazës grupore në Ligën e Evropës.
Nga një kundërsulm i Topçinjve, Eddie Nketiah kreu gjithë punën dhe asistoi në zonë drejt Marquinhos, i cili realizoi nga afërsia (16’).
Mirëpo, mysafirët nuk arritën të shkonin në pushim me avantazh, duke qenë se në fund të fraksionit të parë, vendasit e barazuan rezultatin.
(Foto: Twitter/FC Zurich)
Fidan Aliti u rrëzua në zonën kundërshtare, mirëpo gjyqtari fillimisht nuk referoi asgjë. Por, pas konsultimit të VAR-it u konfirmua se ishte penallti. Përgjegjësinë e mori futbollisti i Kosovës, Mirlind Kryeziu, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë (44’).
Në gjysmën e dytë, Marquinhos e ktheu favorin duke harkuar për Eddie Nketiah, i cili e shënoi me kokë golin e dytë të skuadrës angleze.
Theksojmë se në këtë ndeshje të Ligës së Evropës startuan gjashtë shqiptarë, pesë për FC Zurichun dhe një për Arsenalin.
Ekipi londinez do ta kryesojë Grupin A me tri pikë, ku pos Zurichut, bëjnë pjesë edhe PSV Eindhoven dhe Bodoe/Glimt.

