Kurti: Sa më e dobët është Serbia karshi Kosovës, aq më tepër egërsohet ajo
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me informacionin se në Serbi fëmijët shqiptarë po detyrohen të intonojnë himnin serb në shkolla.
Kurti me këtë rast tha se nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human, por se sa më e dobët është Serbia karshi Kosovës aq më shumë po egërsohet ajo.
“Andaj një lloj agresiviteti të Serbisë duhet të kuptojmë përbrenda dështimit të saj në përgjithësi.Kosova është shtet demokratik që angazhohet për të gjithë qytetarët në përgjithësi, por ne angazhohemi edhe për shqiptarët në Serbi.Shqiptarët që janë atje janë të diskriminuar dhe dëshmitarë për këtë ishte edhe delegacioni ynë që ishte në vizitë atje, përveç që mori pjesë ministrja jonë e Arsimit ishte edhe zv/kryeministri. Për herë të par është ndihmuar me buxhetin e këtij vitit me 2 milionë euro, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja”,tha Kurti.
Ai madje theksoi se “Zullum k’putet prej s’trashi”, prandaj edhe ky zullum i shtuar i Serbisë i cili bëhet edhe ndaj serbëve në Kosovë po i vie fundi pasi shteti i Kosovës është gjithnjë më i fuqishëm e më i pavarur.
Kurti u pyet erdhe në lidhje me vizitën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dje në Serbi.
“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik e aleat, Turqia është një shtet i fuqishëm në NATO, por dialogu diskutohet në mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova nuk është më temë por palë dhe ky dialog drejtohet nga BE-ja dhe tashmë edhe nga SHBA.Ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur. Por tash agjenda se kur e vizitojnë shtetasit e huaj Kosovën s’është se mund ti kuptojmë përshtypja ime se vizita e presidentit turk në Serbi ka qenë sepse Serbia ka lidhje të fuqishme me Turqinë. Besoj se kjo vizitë e tij lidhet me Bosnjën dhe zhvillimet atje”.shtoi ai.
