AAK: Përzgjedhja e disa ambasadorëve u bë jashtëligjshëm, do t’i drejtohemi Gjykatës
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në një konferencë për media, ka thënë se është bërë paligjshëm përzgjedhja e ambasadorëve në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Diasporë, ku Kadrijaj është anëtare e këtij komisioni.
Siç thotë ajo, në shumë raste të përzgjedhjes së ambasadorëve në mungesë të prezencës fizike, kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, ka telefonuar deputetët për të shprehur votën e tyre, për të cilën Kadrijaj thotë se është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
“Këto praktika ku votimi është kryer përmes telefonit janë përdorur në rastin e përzgjedhjes të të propozuarit për Konsull në Neë York, Blerim Reka e gjithashtu edhe gjatë votimit të kandidatit për ambasador në Kroaci, Martin Berishaj”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, Kadrijaj tregoi se për këtë çështje i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit dhe zyrës ligjore në këtë institucion për interpretim dhe anulim të këtyre vendimeve, si dhe ka thënë se do të përgatitet lënda për padi në Gjykatë.
Kjo është letra që AAK i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.



