Konstituohet Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore

Është konstituuar Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë. Anëtarët e këtij Komisioni në mënyrë konsensuale shprehën vullnetin e tyre për ndërmarrjen e reformave të nevojshme, të cilat garantojnë implementimin e praktikave më të mira demokratike zgjedhore.

Qëllimi i këtij komisioni është përmirësimi i procesit zgjedhor, që përfshinë certifikimin e kandidatëve, listën e votuesve, votimin e diasporës, afatet kohore dhe financimin e partive politike. Kryetari i këtij komisioni Abelard Tahiri nga PDK, ka thënë se në 10 vjetët e fundit kanë qenë dy komisione ad hoc për adresimin e zgjedhjeve. “Ka qenë komisioni i vitit 2011 i udhëhequr nga ish-deputeti, Haki Demolli, pastaj e kemi pasur komisionin që është formuar në vitin 2019, i udhëhequr nga ish-kryeministri, tani deputeti Avdullah Hoti. Është me rëndësi që administrata t’i ndajë të gjitha materialet me juve sepse kemi qenë edhe në ato komisione dhe është mirë ta shohim atë material sepse konsideroj që është bërë një punë për temën për të cilën po flasim dhe është mirë t’i referohemi si anëtarë të këtij komisioni”, ka theksuar Tahiri.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kërkoi që pas përfundimit të pushimeve të mbahet një takim më i gjatë dhe të paraqesin një plan më të thuktë pune.

“Pajtohem që në fillim të sezonit vjeshtor ne të kemi një takim të gjatë ku trajtojmë një plan të detajuar të punës, edhe të përqendruar në kohë, edhe të përqendruar në tema, duke synuar të adresojmë mbi 35 rekomandime nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian”, ka thënë Rrustemi.

Në anën tjetër, Avdullah Hoti, i cili ishte kryesues i një Komisioni të tillë, tha se gjetjet e komisionit nuk ishin adresuar asnjëherë, teksa ofroi rekomandimet e tij.

“Ne e patëm bërë një tabelë ku i kemi listuar të gjitha rekomandimet për misionet  e ndryshme monitoruese të zgjedhjeve, rekomandimet që kërkojnë ndryshime të rregullores së KQZ-së, rekomandimet që kërkojnë ndryshime të ligjeve dhe rekomandime që kërkojnë ndryshime kushtetuese. Tani asaj tabele ndoshta është mirë t’ia shtojmë edhe rekomandimet e misionit të fundit dhe mandej e kemi më të lehtë punën si komision”, ka thënë Hoti.

Takimi i radhës i këtij Komisioni u vendos që të mbahet pas pushimeve verore, ku do të implementohet plani i punës dhe adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore në Kosovë.

Go to TOP