Prokuroria e Shtetit reagon pasi kryeprokurori Buzhala shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – do të merren masa

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka reaguar pas raportimit në media se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë.

Sipas “KALLXO”, pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së martë brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Lidhur me këtë, ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Kush është Kryeprokurori Ramiz Buzhala?

Ramiz Buzhala në mars të vitit të kaluar kishte aplikuar për të parin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë. I njëjti në këtë pozitë erdhi ani pse ndaj tij ekzistonte një masë disiplinore.

Kujtojmë se më 2019, në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ ishte transmetuar një hulumtim, ku përmes një video incizimi, u raportua për mënyrën se si prokurori i Prokurorisë së Gjakovës Ramiz Buzhala, gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale e pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Disa muaj pas këtij raportimi ndaj tij ishte shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi filmimet ekskluzive që kapën prokurorin e Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, duke i kërkuar të vëllait të Ruzhdi Ramadanit, të tërhiqet nga ndjekja penale ndaj pronarit të kompanisë ku i ishte lënduar i vëllai.

I riu Mentor Ramadani nga Komogllava e Ferizajt ishte lënduar në punë deri sa ishte duke punuar në një ndërtesë në Gjakovë.

Rasti kishte ndodhur në nëntor të vitit 2016.


Go to TOP