Humolli i zhgënjyer, zbulon kushtet që ia vuri Kurtit për t’iu bashkuar VV-së në zgjedhje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, tha se ishte kryeministri i vendit Albin Kurti dhe ministri Liburn Aliu, ata që i kërkuan atij t’i bashkohet listës së kësaj partie në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.
Ai tha se kryeministrit ia ka bërë me dije se do t’ia pranojë ofertën e tij me tre kushte.
“Kushti i parë ka qenë me i bo 1 mijë fshatra prodhuese e 1 mijë fshatra prodhuese në bazë të kalkulimeve të mija do të krijoheshin 16 mijë vende të punës. Tash 16 mijë punëtorë e kishin rritë trustin pension e kishin rritë paren me qarkulluar brenda. Kosova ka nevojë për 1 miliardë euro investime në bujqësi. Këtu nuk dëshirojnë të marrin ide për me e zhvillu në këtë drejtim”, tha ai në RTV Dukagjini.
Si kusht të dytë ai përmendi mos pasjen e arrogancës ndër shqiptare. Deputeti Humolli tregoi se cilët ministra të Qeverisë Kurti sipas tij janë arrogant.
“E dyta ka qenë mos me pasë arrogancë ndër shqiptare që në Kuvend të Kosovës e ka ndalu një arrogancë Albini. Por është arrogant ministri i Financave edhe ministrja e Drejtësisë. Por është në raport me çështjen shqiptare. Ajo është arrogante në Kuvend vazhdimisht na fut në konflikt me deputet. Unë deputetet i kam kolegë. Ajo ka ofenduar koleget më ka ofenduar edhe mu”, shtoi ai.
Si kusht i fundit Fatmir Humolli përmendi respektin që shteti duhet ta bëjë ndaj qytetarëve të vet.
“I kam thënë duhet që shteti me i respektuar qytetarët e vet. Ka mundësi shteti që së paku një shujtë në dite me ja garantuar qytetarit të vet”, theksoi ai.
Fatmir Humolli, i cili edhe votoi kundër projektligjit për pagën minimale, ka thënë se megjithatë mbetet deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Mirëpo, ai ka dhënë sinjale se mund ta lërë këtë parti.
“Unë kam hyrë në listën e LVV si kandidat i pavarur. Unë respektoj atë rreth shoqërorë që më ka bërë votat për të qenë deputet. Pa një diskutim me ta nuk marrë ndonjë vendim të prerë. Situatë nuk është mirë, është shumë keq. Ne do të diskutojmë me ta për të marrë një vendim se çfarë të bëjmë tutje. Unë edhe më tej jam deputet i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Mirëpo, Humolli përgjatë emisionit theksoi faktin se partinë politike e konsideron si një autobus që të dërgon në një mision.
Dhe sipas tij kur autobusi devijon atëherë ky zbret nga aty.
“Kam deklaruar që partinë politike e konsideroj një autobus që na qon në mision. Nëse ky autobus devijon prej rrugës unë e di rrugën nuk rri në autobus. Ne jemi ende në autobus por është një udhëkryq edhe bëjë përpjekje mos me dalë prej autobusit vetëm, mos me metë shoferi vetëm”, tha ai.
“Ata le të zgjedhin nuk është problemi jemi. Mu nuk më bënë përshtypje se a jam deputet a jo”, shtoi Humolli.
Ndryshe, të martën Me 68 vota për, asnjë votë kundër dhe 6 abstenime, është miratuar në parim Projektligji nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale
Pro kishin votuar edhe Lista Serbe, të cilët pas votimit edhe ata e lëshuan sallën.
Ndërsa deputetët e grupit multietnik kanë abstenuar. Kundër këtij ndryshimi të projektligji kanë qenë partitë opozitare LDK dhe AAK, kurse PDK-ja nuk ka marrë pjesë në seancë.
