Giresse: Duhet të punojmë më shume dhe ta ndërrojmë nivelin

Trajneri i kombëtares së Kosovës Alain Giresse, ka folur pas ndeshjes ndaj Greqisë që “Dardanët” e humbën me rezultat 2:0.

Giresse tha për Klan Kosova se duhet të punojnë më shumë dhe ta ndërrojnë nivelin.

“Ne duhet të punojmë më shumë dhe të ndërrojmë nivelin. Sigurisht ju duhet të mendoni edhe për ata futbollistë që kanë munguar”- tha Giresse.

Ai foli edhe për mungesën e futbollistëve në skuadër.

“Nuk mund të ftonim lojtarë në ndeshjen e fundit, pasi ata veçse kanë filluar pushimet. Por, të gjithë duhet të mendojnë për lojtarët që munguan. Ata mund ta kishin bërë ndryshimin”, tha ai.

Selektori i Kosovës theksoi se nuk mund ta komentojë pretendimet për penallti ndaj kapitenit Amir Rrahmani.

“Nuk është arsyeja kryesore. Tifozët janë pjesë e rëndësishme por nuk është çelësi kryesor i lojës. Lidhur me penalltinë nuk mund të jap ndonjë koment tani. Dua ta shoh së pari videon dhe më pas të jap mendimin tim”- tha selektori i Kosovës.

Kosova edhe matematikisht e ka humbur mundësine për ta zënë vendin e parë në grupin e dytë të Ligës C.

Muriqi për sulmet e tifozëve: E kemi ditur se do të provokojnë, e kemi edhe një shans për kualifikim

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur pas ndeshjes mes Greqisë e Kosovës, ku tha se ishin në dijeni se kishin të bëjnë me një kundërshtar të fortë.

Ai tha se kjo u vërejt me faktin se grekët s’u dhanë “Dardanëve” shumë raste për të pasur opsione në gjysmëfushën e tyre.

Ai ka folur edhe për sulmin e tifozëve grekë që i kanë bërë tifozëve dhe futbollistëve “Dardanë”, ku tha se për këtë kanë qenë në dijeni që nga fillimi.

“E kemi ditur që do të provokojnë, kjo s’ka të bëjë me sport por është me politike. Nuk e di pse përzihet politika këtu. Kjo u pa edhe kur shënuan golin e parë dhe sulmuan “Dardanët”. I falënderoj “Dardanët” që kanë qenë me ne”, është shprehur Muriqi për Klan Kosova.

Ai tha se janë edhe dy mundësi që të kualifikohen si vendi i dytë më i mirë, teksa komentoi edhe rastin e penalltisë së Amir Rrahmani.

“Ishte 100% penallti. Ishte një gjë qesharake që e dëgjova, ku tha se edhe nëse do të ishte penallti, referi i katërt ka thënë se ishte offside. Nuk e di si mund të jetë offside nga korneri, s’kam koment. Por, janë edhe dy ndeshje dhe e kemi një mundësi që të kualifikohemi si vendi i dytë më i mirë”, është shprehur Muriqi, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se sonte Kosova është mposhtur nga Greqia me rezultat 2-0, duke humbur kështu edhe matematikisht gjasat që të dal në vendin e parë.

Rrahmani pas humbjes: Jemi të zhgënjyer

Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani, ka thënë se është i zhgënjyer pas humbjes prej 2:0 kundër Greqisë.

Rrahmani për Klan Kosova foli edhe për penalltinë e shkaktuar ndaj tij në minutën e 66-të.

Ai tha se kjo ishte penallti.

“Jemi të gjithë të zhgënjyer sepse u afruam, kishim vetëm tre pikë më pak dhe po ta fitonim këtë ndeshje do të ishim më pikë të barabarta. Nuk arritëm të fitojmë dhe normalisht zhgënjimi mbetet- tha Rrahmani.

“Unë isha shumë i sigurt që ishte penallti, sepse më mbajti me duar për dy sekonda ndoshta dhe unë isha në vrap dhe ajo normalisht është penallti. Sepse kam fituar penallti të tillë edhe më përpara, por ja që as nuk e shikuan”-theksoi ai.

Kapiteni i Kosovës foli edhe për tensionet gjatë ndeshjes.

Amir Rrahmani shtoi se ishte sharë nga trajneri i Greqisë Gustavo Poyet.

“Ne jemi profesionistë edhe nuk shikojmë jashtë çka ndodh. Ishte momenti që po hidheshin ato flakadanët. Ishte moment i rrezikshëm dhe që unë protestova shumë. Por, në fushë nuk ka ndikuar ajo sepse mendoj që mund të bënim më mirë”- tha kapiteni i Kosovës.

“Edhe gjyqtarit i thashë se ato flakadanët janë shumë të rrezikshme sepse janë 1 mijë gradë temperatura e tyre dhe nëse e prek ndonjërin në trup mund të jetë shumë e rrezikshme. Protestova mjaftueshme tek referi kryesor dhe tek referi i katërt dhe pastaj trajneri i tyre më shau. I thashë ti trajneri nuk mund ta shashë lojtarin ashtu por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”.

Go to TOP