Djali i gjinekologut kërkon komision për profesoreshën e tij që u sulmua një ditë më parë
Në vendin ku merrte rrugë drejt punës zakonisht, këtë të mërkure mungon. Gjinekologu Arsim Gashi me gjasë nuk do të jetë të paktën edhe një kohë në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër një në Prishtinë.
Siç ka njoftuar policia, i njëjti është dërguar në mbajtje, ndërsa për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin.
Në zyrën e saj mungonte edhe profesoresha Hatixhe Latifi-Pupovci, pasi po qëndron në pushim shëndetësor, për shkak të lëndimeve që mori nga sulmi i së martës. Megjithatë, përmes një statusi në Facebook, profesoresha deklaroi se nuk do të zmrapset për t’ua dhënë vlerësimin e duhur secilit student.
Krahas sulmit që dyshohet se ia shkaktoi prindi i tij, studenti gjatë së mërkurës ka kërkuar krijimin e një komisionit për vlerësim në lëndën ku profesoreshë është Latifi-Pupovci.
Te po e njëjta profesoreshë, ky student kishte kërkuar edhe më parë që të hartohej komision.
Por, ky nuk është rasti i vetëm që gjinekologu Arsim Gashi ishte i përfshirë në kërcënime e sulme. Cak i tij ishte edhe zëvendësdrejtori i QKMF-së kryesore në Prishtinë, Rrezart Halili.
Kohë më parë ky ishte kërcënuar, e rasti ishte lajmëruar edhe në polici. Por asgjë nga organet e drejtësisë.
Ndërsa epilogu i një rasti të abortit të jashtëligjshëm në të cilin u raportua se dyshohet që Gashi ishte i përfshirë, nuk dihet pasi që institucionet nuk kthyen përgjigje.
Krejt këto raste ishin trajtuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Njësoj ishte vepruar edhe në rastet e mëparshme. Tani të njëjtit mund t’i merret licenca.
Për këtë rast kanë reaguar edhe nga Rektorati të cilët e kanë dënuar sulmin ndaj profesoreshës.
