Debutim i suksesshëm për gjyqtarin e parë kosovar në garat ndërkombëtare, Istref Elezaj

Përveç paraqitjeve premtuese të Kombëtares së Kosovës në grupmoshën U19, femrat, në kualifikimet për Kampionatin Evropian, debutim të suksesshëm si gjyqtar ndërkombëtar pati edhe Istref Elezaj, i cili ishte caktuar nga CEV të ndante drejtësinë në ndeshjet e Grupit G, që u luajtën në Tiranë, mes datave 8-10 prill. Në këtë grup, shtete pjesëmarrëse, përveç Shqipërisë si shtet nikoqir, ishin edhe Polonia, Austria dhe Ukraina, por kjo e fundit nuk udhëtoi për shkak të rrethanave tashmë të njohura.

Në mungesë të një Kombëtareje, Istrefi gjykoi dy ndeshje, Poloni-Shqipëri si gjyqtar i dytë, dhe Shqipëri-Austri, si gjyqtar kryesor, duke u vlerësuar lart nga përgjegjësit e deleguar nga CEV.

Në një prononcim, Istref Elezaj falënderoi Federatën e Volejbollit të Kosovës për mundësitë e ofruara, Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe shikuesit prezentë që përmes ngrohtësisë së ofruar, e vërtetuan se ai njëmend filloi rrugëtimin ndërkombëtar ne shtëpinë e tij. /Kosova.info/

Go to TOP