OBSH ngre alarmin: Përkeqësohet situata me ndotjen e ajrit, rreth 99% e popullsisë në tokë…
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për ndotjen e planetit. Në një deklaratë këtë të hënë, OBSH thotë se 99% e qytetarëve në tokë, thithin ajër të ndotur duke u bërë kështu shkaktar i miliona vdekjeve çdo vit.
Të dhënat e reja nga agjencia shëndetësore e OKB-së treguan se çdo cep i globit po përballet me ndotjen e ajrit, megjithëse problemi është shumë më i keq në vendet më të varfra.
“Pothuajse 100 për qind e popullsisë globale ende thith ajër që tejkalon standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, u tha gazetarëve drejtoresha e mjedisit, ndryshimeve klimatike dhe shëndetit të agjencisë, Maria Neira.
Në raportin e saj të mëparshëm 4 vjet më parë, OBSH kishte zbuluar se mbi 90% e popullsisë globale ishte prekur nga ndotja e ajrit. Ndërsa të dhënat e OKB-së vitin e kaluar treguan se kufizimet dhe karantina për shkak të pandemisë sollën përmirësime afatshkurtra në cilësinë e ajrit.
“Pas mbijetesës së një pandemie, është e papranueshme që të ketë ende shtatë milionë vdekje të parandalueshme në vit” – tha Neira.
Studimi i OBSH-së ofron të dhëna për cilësinë e ajrit nga më shumë se 6,000 qytete dhe vendbanime të tjera në 117 vende,- që përfaqësojnë rreth 80 përqind të mjediseve urbane. Përveç kësaj, Neira tha se OBSH përdori të dhëna satelitore dhe modele matematikore për të përcaktuar se cilësia e ajrit po bie kudo.
Cilësia më e dobët e ajrit u gjet në rajonet e Mesdheut lindor dhe Azisë Juglindore, si dhe në Afrikë, tha ajo. Gjetjet ishin alarmante, tha organizata, duke theksuar rëndësinë e frenimit të shpejtë të përdorimit të karburanteve.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi se shqetësimet për rritjen e çmimeve të energjisë, pjesërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, duhet të ndihmojnë në nxitjen e ndryshimit.
“Shqetësimet aktuale të energjisë theksojnë rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit drejt sistemeve më të pastra dhe më të shëndetshme të energjisë,” tha ai në një deklaratë.
– Më keq në vendet më të varfra –
Raporti ofron të dhëna për përqendrimet e grimcave të rrezikshme me një diametër midis 2.5 dhe 10 mikrometra (PM10) dhe grimcave me një diametër më të vogël se 2.5 mikrometra (PM2.5). PM2.5 përfshin toksina si sulfati dhe karboni i zi, të cilat paraqesin rreziqet më të mëdha për shëndetin pasi mund të depërtojnë thellë në mushkëri ose sistemin kardiovaskular.
Dhe për herë të parë, raporti ofron gjithashtu matje tokësore të përqendrimeve mesatare vjetore të dioksidit të azotit (NO2), një ndotës i zakonshëm urban, i cili lidhet me sëmundjet e frymëmarrjes, veçanërisht me astmën.
