Reagon sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, pasi Duma ruse kërkoi nga Putini që të njohë dy rajonet e kontrolluara nga separatistët në Ukrainë

Njohja nga Kremlini i të ashtuquajturave Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut si “të pavarura” do të nënkuptonte refuzimin e plotë nga Rusia të marrëveshjeve të Minskut, të cilat mbeten mjeti më i mirë për të zgjidhur konfliktin në Donbas.

Kështu ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, pasi Duma ruse ka kërkuar nga presidenti Vladimir Putin që të njohë dy rajonet e kontrolluara nga separatistët në Ukrainë.

Ndryshe, siç kanë raportuar mediat të martën, një kërkesë e tillë ka ardhur pas një votimi në Duma të martën.

Të dyja rajonet ndodhen në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar kundër forcave ukrainase që nga viti 2014.

Një veprim i tillë është vlerësuar gjithashtu se do të rriste tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës një nivel tjetër, edhe pse trupat ruse filluan një tërheqje të pjesshme nga kufiri ukrainas. 


Go to TOP