I shkolloi në Turqi, por s’i punësoi më pas MPB, studentët fitojnë rastin
Studimet pesëvjeçare në fushën e sigurisë i përfunduan në Turqi që më shumë se tetë vjet e që nga atëherë disa të rinj është dashur të punësoheshin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Me marrëveshjen që e kishin pas diplomimit parashihej që ata të përfitojnë kontrata dhjetëvjeçare nga ky dikaster. Por, ato s’i panë kurrë dhe rrjedhimisht mbetën pa punë.
Të rinjtë që nuk e bënë punën për të cilën i dërgoi në shkollim shteti janë ankuar gjithë kohën, por pa sukses.
Megjithatë, fati mund t’iu buzëqeshë edhe atyre më në fund, pasi Gjykata Themelore vendosi në favor të tyre, më 23 dhjetor të vitit të kaluar, duke thënë që të shkolluarit në Turqi duhet të punësohen në MPB.
Kjo e fundit obligohet, sipas dokumentit të organit të drejtësisë, që ta zbatojë vendimin në afat prej shtatë ditësh që nga marrja e tij.
Klan Kosova ka pyetur dikasterin e udhëhequr nga Xhelal Sveçla nëse do ta bëjë një gjë të tillë, por nuk mori përgjigje.
