Të rinjtë deri 19 vjeç, më të prekurit nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës grupmosha më e prekur nga infektimi me COVID-19 në 24 orët e fundit është 10 deri 19 vjeç.

Sipas këtij institucioni 899 raste pozitive i takojnë kësaj grupmoshe. Por numër i lartë i infektive është raportuar edhe te grupmosha më e re, 0 deri në 9 vjeç, gjithsej 181 raste.

Këto dy grupmosha përbejnë 1,080 nga 2,708 rastet pozitive të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë më 20 janar, 2022.

Një gurpmoshë tjetër e prekur më shumë nga infeksioni është 30 deri 39 vjeç me gjithsej 406 raste pasuar nga grupmosha tjetër 40 deri 49 vjeç me gjithsej 403 raste pozitive.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten me 20 janar,2022, se nga 10,883 testime 2,708 qytetarë kanë rezultuar pozitivë.

MSH-ja njoftoi për një rast të vdekjes. Aktualisht në Kosovë me COVID-19 janë 9,771 raste.

Gjatë ditëve të kaluara po ashtu ka qenë i lartë numri i shifrave të të rinjve që janë raportuar pozitivë me COVID-19.

Në QKUK kanë thënë se ka pasur edhe raste të hospitalizimit të fëmijëve të prekur nga koronavirusi.

Simptomat që manifestojnë fëmijët e prekur me koronavirus, sipas mjekëve, janë të lehta: temperaturë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Trajtimi i tyre kryesisht bëhet me ilaçe për zbritje të temperaturës, shurupe për kollitje, lëngje, pemë, perime dhe vitamina.


Go to TOP