Kurti mbron ministrin e Shëndetësisë: Punon online nga SHBA-ja

Kanë kaluar më shumë se 30 ditë që kur Rifat Latifi është emëruar ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Megjithatë, edhe pse në kohë pandemie, punën kryesisht po e koordinon online nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E për këtë është mbrojtur edhe nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti.

I pyetur në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë ku MSH-në e përfaqësoi zëvendësministrja Dafina Gexha, Kurti ka thënë se Latifi gjendet në SHBA për çështje të natyrës profesionale.

Kurti deklaroi se ministri Latifi do të punojë edhe nga Amerika, por këtë do ta bëjë online.

“Nuk ka person që nuk është online dhe i koordinon punët. Pas një karriere në SHBA, një çik si shpejt është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë dhe direkt në pandemi. Nuk mund të them se është për qëllime personale sa për institucionin që ka punuar atje. Ka numër të pafundmë të studentëve që kanë doktoruar e magjistratura te ai. Ai mua më ka siguruar që duke i ndarë punët dhe duke qenë ‘online’ nuk do ta cenojë bashkërendimin në MSh”, ka deklaruar Kurti.


Go to TOP