Sot ua ofron ushtarët, por Kurti para 1 viti fliste për një marrëveshje “sekrete” të Kosovës me NATO-n

Kryeministri Albin Kurti, përpara një viti, nën petkun e të parit të ekzekutivit pati ftuar një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me një marrëveshje të pretenduar më 2013-ën  mes ish-presidentit Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër, si dhe NATO-s për mos-dërgimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonat veriore të vendit.

Kurti nxiti raportime të mediave për këtë marrëveshjë të arritur, sipas tij, mes ish-Presidentit Thaçi dhe ish-Sekretarit Gjeneral të NATO-s, Anders Rasmussen, duke e njoftuar lidhur me këtë atëkohë kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe Prokurorinë që të inicojnë procedurat për shkarkimin e ish-presidentit.

“Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhej në letrën e Kurtit që ia dërgonte ish-kryeparlamentares Osmani.

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”, potencohej tutje në letrën e tij.

Një vit më vonë, kryeministri Kurti foli rreth mundësisë së dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ukrainë në rast të shpërthimit të një konflikti të mundshëm ndërmjet palës ruse dhe asaj ukrainase.

Ai thoshte se çka do që parasheh NATO, Kosova do të jetë e gatshme të veprojë.

“Së pari, uroj që mos të ketë konflikte të reja, edhe unë jam duke e përcjellë me vëmendje deri në orët e vona se çfarë po ndodh në kufirin midis Ukrainës dhe Federatës Ruse. Ka një alarmim edhe të NATO-s, në veçanti të SHBA-së, por edhe të BE-së për këtë gjë. Çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm”, deklaronte kreu i ekzekutivit.

Megjithatë, marrëveshjen “sekrete” që e përmendte Kurti ia ritheksoi sekretari aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi kryeministri dërgoi forcat e njësitit special në veri pas mosmarrëveshjeve për targa me Serbinë.

Gjatë takimeve që pati me Osmanin dhe Kurtin, Stoltenberg bëri me dije se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe FSK-së, që kjo e fundit të mos hyjë në pjesën veriore të Kosovës pa marrëveshje me KFOR-in.

“Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitivitetin e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd”, deklaronte ai. 

Go to TOP