Kush ishte Heroina Mehmetaj nga Gllogjani?

Heroina Mehmetaj i kishte dhënë fund jetës në qershorin e vitit të kaluar, duke u vetëvarur.

Ajo ishte gjetur e vdekur në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Heroina ishte studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Pejës, bursiste me notë mesatare 9.2.

Prokurori Haxhi Sinanaj kishte konfirmuar se 20 vjeçarja Heroina Mehmetaj nga fshati Gllogjan i Deçanit i kishte dhënë fund jetës, duke u varur në litar.

Motivet që e kanë shtyrë drejt vetëvrasjes ishte thënë se nuk diheshin.

“Shkaku për momentin nuk dihet, autopsia ka dëshmu që kemi të bëjmë me vetëvarje, e ka varë veten në litar. Për motivet që e kanë shtyrë, për momentin nuk jemi në dijeni”, kishte deklaruar Sinanaj.

Vdekja tragjike e Heroinës e preku jo vetëm familjen, por edhe shoqërinë e saj. Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ishte shprehur i tronditur nga kjo vetëvrasje.

“I tronditur nga lajmi për vdekjen e Heroina Mehmetaj nga fshati Gllogjan. Me shpresën që qytetit tonë të mos i ndodhin më vdekje të tilla, nga zemra ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmetaj, zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, kishte shkruar Ramosaj.

Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit.

Pasi ajo i dha fund jetës, vëllai i saj, që sot u arrestua, Malsor Mehmetaj kishte bërë tatu emrin e motrës “Heroina”.

Malsori bashkë me vëllain Kreshnikun, e babain Halilin dyshohet se u hakmorrën ndaj shoferit të autobusit Gani Gjokaj, të cilin dyshohet se e vranë pasi e fajësonin për vetëvrasjen e vajzës, përkatesisht motrës së tyre, Heroinës.

Se tre të dyshuar janë arrestuar e konfirmoi edhe Prokuroria e Pejës në një konferencë për media.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës Agim Kurmehaj theksoi se të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e cila ka ndodhur para disa ditëve në fshatin Gllogjan…Prokuroria e çështjes ka caktuar vendimin 48 orë për ndalim”, tha Kurmehaj.
Kurmehaj theksoi se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk do të ketë informata të tjera.

Go to TOP