Manastiri i Deçanit: Pritja me vite për drejtësi
Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.
Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.
Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur të Manastirit dhe ato janë ndërprerë disa herë, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës sjell vendimin që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ajo e refuzon vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan. Gjykata Kushtetuese përcakton gjithashtu se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së Manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (aktvendim i plotfuqishëm).
Kompanitë shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” i parashtrojnë kërkesë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, përkatësisht për “anulimin” dhe “revokimin” e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ato pretendojnë se vendimi është “i paligjshëm dhe antikushtetues”.
Historianët dhe autoritetet lokale në Deçan mbajnë protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konfirmoi se Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ata konsiderojnë se prona u takon kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, se ajo nuk ka qenë asnjëherë e Manastirit dhe se Gjykata Kushtetuese e legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t’ia dhurojë pronën Manastirit. Njëkohësisht, Kisha Ortodokse Serbe ka shfaqur shpresën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxjerr “Vendimin për papranueshmëri” lidhur me kërkesat për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, të cilat janë dorëzuar nga kompanitë shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”. Gjykata Kushtetuese thekson se “një veprim i tillë juridik nuk lejohet apo autorizohet në asnjë mënyrë, me asnjë dispozitë të Kushtetutës, Ligjit apo Rregullores së Punës”. Konstatohet se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vlerësojë, shfuqizojë, rishikojë dhe revokojë vendimet e saj përfundimtare.
Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin se pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën e Manastirit të Deçanit nuk po zbatohet. Në anën tjetër, Shoqata e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan, i jep ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 21 prill të përfshihet në zgjidhjen e kësaj çështjeje, në të kundërtën, në shenjë të pakënaqësisë me punën e institucioneve vendore, do të bllokojë rrugën që çon në Manastir. Qeveria e Kosovës porosit që vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet dhe se nuk ka kthim prapa.
Vazhdojnë punimet në ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, të cilat kanë nisur në vitin 2014 dhe që zhvillohen në afërsi të Manastirit të Deçanit. Kisha Ortodokse Serbe e kundërshton ndërtimin e kësaj rruge, sepse “ajo kërcënon një nga monumentet më të rëndësishme të UNESCO-s në Ballkan – Manastirin e Deçanit”. Rruga Deçan – Plavë kalon nëpër një zonë që mbrohet me ligj që nga viti 2008, me qëllim mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë.
Më 27 maj 2018 me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, autoritetet e Kosovës i pezullojnë punimet për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, përmes zonës së mbrojtur afër Manastirit të Deçanit.
