Ndërtesa e presidencës, kuvendit dhe qeverisë ndriçohen me të portokalltë, simbolikë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, ka filluar fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit me ndriçimin e ndërtesës ku janë të vendosura  Presidenca dhe Kuvendi – me ngjyrë portokalli.

Fushata ka filluar sot, më 25 nëntor, dhe është mbështetur nga Presidentja znj. Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit z. Glauk Konjufca.

Kjo ditë është e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit përmes fushatës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia, që simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë pa dhunë ndaj grave.

Ndërtesa, ku janë të vendosura Presidenca dhe Kuvendi, do të qëndrojë e ndriçuar prej orës 18:30 deri të nesërmen.

Ndërtesa e Qeverisë ndriçohet me të portokalltë, simbolikë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Në shënim të hapjes së fushatës – 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave, Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit,  ka ndriçuar me ngjyrë të portokalltë ndërtesën e Qeverisë së Repubikës së Kosovës.

Sot paradite, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e fushatës duke bërë thirrje për gratë që të kenë më shumë solidaritet gjinor, kurse burrat më shumë emancipim për barazinë gjinore. Ai theksoi se përkushtimi institucional e shoqëror për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vazhdon çdo ditë.

Me sloganin “Ngjyrose botën portokalltë”, fushata ndërkombëtare 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave fillon më 25 nëntor, në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe zgjat deri më 10 dhjetor, në Ditën e të drejtave të njeriut.

Si pjesë e kësaj fushate, ndërtesat ikonike në mbarë botën ndriçohen me ngjyrë të portokalltë, për të sjellë vëmendje në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ngjyra e  portokalltë simbolizon një të ardhme të ndritur dhe pa dhunë, për gratë dhe vajzat. /|Kosova.info/

Go to TOP