Aktakuza ndaj 14 zyrtarëve policorë, cila ishte lidhja e tyre me kontrabandën në Karaçevë?
73 persona, ndër ta 14 zyrtarë policorë, janë duke u akuzuar nga Prokuroria e Gjilanit për veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës.
Në aktakuzën 302-faqëshe shpjegohet në detaje veprimtaria e secilit të akuzuar në rastin “Karaçeva”, ku zhvillohej në mënyrë të kundërligjshme kontrabanda dhe lojërat e fatit.
Në aktakuzën e siguruar përshkruhet edhe lidhja e zyrtarëve policorë me njerëz të kontrabandës e mundësimit të zhvillimit të lojërave të fatit në zonën e cila konsiderohej e paprekshme nga institucionet e Kosovës para shtatorit të vitit të kaluar.
Ferid Leci, i prin listës së të akuzuarve për rastin “Karaçeva”. Leci në cilësinë e zyrtarit policor ka ndihmuar, sipas Prokurorisë, vëllanë dhe djalin e tij që të zhvillojnë lojërat e fatit në objektin “Adria” në fshatin Karaçevë.
Leci, sipas Prokurorisë, ka ndërmjetësuar vazhdimin e kontratës mbi qiranë për objektin ‘Adria’, ka fshehur aparatet për luajtjen e lojërave të bixhozit në shtëpinë e tij si mjete të përdorura për kryerjen e veprës penale, ka dhënë informata mbi vendndodhjen e zyrtarëve policor, KFOR-it si dhe ka mbajtur dhe fshehur përfitimet që rrjedhin nga kryerja e veprës penale.Ai me këto veprime, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale të organizimit të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Tutje, Leci nga data 5 tetor i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2019, në cilësinë e zyrtarit policor ka mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme, ushqim për kafshë, gjedhe e drurë.
Ai sipas masave të fshehta të përdorura për të vërtetuar veprën që i ngarkohet, dyshohet edhe se gjatë orarit të tij të punës në cilësinë e zyrtarit policor ka dhënë informacione, udhëzime te persona të tjerë për të kryer kontrabandën e mallrave, të gjedheve, përmes rrugëve ilegale me qëllim që të shmangej kontrolli doganor nga Serbia për në Kosovë.
Leci përmendet edhe për bashkëpunimin e tij edhe me një zyrtar tjetër policor, Selami Gecin. Së bashku, sipas Prokurorisë, kanë mundësuar kontrabandën e mallrave në nëntor të vitit 2019
Të pandehurit Ferid Leci dhe Selami Geci, sipas Prokurorisë, kanë mundësuar kontrabandimin e disa edhave nga një person i cili edhe më parë kishte qenë i arrestuar për të njëjtën vepër, kontrabandë në mënyrë të jashtëligjshme.
Leci, Zlatan Arsiq dhe Fitim Kryeziu, edhe këta zyrtarë policorë, dyshohen se më 30 nëntor të vitit 2019 rreth orës 20:00, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në zonën e përgjegjësisë së SPMK Muçivërc, duke përfshirë fshatrat Novosellë, Karaçevë, Hodonovc, Domorovc, Korminjan dhe Ranillug, në bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete apo për tjetër kënd, kanë lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave gjegjësisht gjedheve, duke e ditur se veprimi i tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarisë kriminale të kontrabandës.
Zllatan Arsiq dhe Fitim Kryeziu ishin informuar nga Ferid Leci se ky i fundit kishte lejuar një kontrabandist të kalojë me mall të kontrabanduar ndërsa dy zyrtarët policorë e kishin fshehur këtë informacion edhe pse kanë qenë në njohuri se është vepër penale.
Njëjtë kanë vepruar edhe më 11 dhjetor të vitit 2019.
