Kushtetuesja pezullon vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK-së

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, deri më 15 dhjetor.

11 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kishin parashtruar kërkesën në Kushtetuese kundër vendimit të 30 qershorit, me të cilin deputetët e Kosovës votuan pro shkarkimit të pesë anëtarëve të KPMShC-së. Ata shprehën pretendimet se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja sot ka njoftuar se ka vendosur masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 15 dhjetor të këtij vendimi të Kuvendit, të cilin vendim e ka pezulluar menjëherë.

Vendimi specifikon që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj.

Komente për këtë rast pati dërguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili.

Shkarkimi i anëtarëve të KPMShCK-së pati ardhur pak ditë pasi në Komisionin për Administratë Publike qe votuar kundër miratimit të raportit vjetor të Këshillit për vitin 2020. Më 15 qershor, ky komision rekomandoi shkarkimin. E shkarkimi erdhi 15 ditë më pas me 62 vota pro, tri kundër e 11 abstenime.

Më 19 korrik, Kryesia vendosi të shpallë që nga 23 gushti 2021, të shpallet konkursi për pesë anëtarë nga komuniteti shqiptar. Pasi në afatin ligjor s’kishin aplikuar kandidatë të mjaftueshëm, Kryesia rishpalli konkursin. Ai u shpall më 6 tetor dhe ka qenë i hapur deri më 25 tetor.

Për pezullimin ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai e ka quajtur shkarkimin e paligjshëm. Vendimin e ka quajtur fitore të së drejtës mbi padrejtësinë.

“Afër katër muaj më parë, ne paralajmëruam mazhorancën e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje se shkarkimi i jashtëligjshëm i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ishte kundër kushtetues, si dhe një përpjekje e hapur për të ndërhyrë politikisht në mënyrë brutale, në një institucion të pavarur e të bazuar shumë qartë në ligj. Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri. Sot kjo Gjykatë, aprovoi kërkesën për Masën e Përkohshme, respektivisht vendosi pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Kuvendit, i cili i shkarkoi pesë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Ne jemi të bindur se i tillë do të jetë edhe vendimi meritor për vlerësimin e këtij rasti. Kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj. Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre. Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës. Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e pa lëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit”, ka thënë ai.

Go to TOP