Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut: Ta shkurtojmë kohëzgjatjen e fushatës konvencionale
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku i cili sot gjatë ditës përmes një letre ka propozuar që fushata zgjedhore prej 30 ditësh të shkurtohet në 10 ditë.
Ai ka thënë se PDK-ja mendon se duhet të shkurtohet kohëzgjatja e fushatës konvencionale – tubimet dhe takimet me prezencë fizike – derisa thotë se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor.
“Kjo tragjedi që po kushton me dhjetëra jetë të humbura të qytetarëve të Republikës së Kosovës për çdo ditë, na ka vënë e duhet të na vejë të gjithëve në lëvizje, duke parë përtej dallimeve politike, me qëllim që secili nga ne të përpiqemi të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate të rëndë. Aq më tepër, situata na ndërgjegjëson që të përpiqemi të kontribuojmë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të kësaj gjendjeje”.
“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndanë mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”, ka shkruar Krasniqi në letrën që ia ka kthyer Abdixhikut.
Lideri i PDK-së ka konfirmuar se mbetet i hapur për të diskutuar së bashku edhe me akterët e tjerë relevantë për kohëzgjatjen dhe formatin e fushatës zgjedhore konvencionale, ndërsa ka sugjeruar që fushata digjitale, debatet mediale dhe të ngjashme që nuk kërkojnë mbledhjen e shumë personave dhe nuk shkaktojnë rrezikim të shëndetit të qytetarëve të lejohen në pajtim me kohëzgjatjen e paraparë me legjislacionin në fuqi.

