Vdes në moshën 69 vjeçare gazetari Shaban Arifaj
Sot në moshën 69 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari Shaban Arifaj.
Lajmin për vdekjen e tij e ka njoftuar djali i tij Lorik Arifaj, gazetar në Radio Televizionin e Kosovës.
Detajet e varrimit të të ndjerit do të njoftohen më vonë pasi trupi i tij ndodhet në Shkup.
Me dhimbje te thelle, ju njoftojmë se sot në moshën 69 vjeçare ka ndërruar jetë baba jonë Shaban Arifaj. Për detajet rreth varrimit ju njoftojmë ndërkohë, pasi që trupi ndodhet në Shkup. Ju jemi mirënjohës për mesazhet mbështetëse që na keni dhënë gjatë gjithë kohës”, ka shkruar Lorik Arifaj në Facebook.
Shaban Arifaj për vite me radhë ka qenë ikonë e televizionit kosovar. Ai kishte lindur më 6maj, 1952, në Istog ku kishte kryer shkollimin fillor dhe të mesëm.
Në vitin 1974, Shaban Arifaj nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës si spiker, gazetar dhe redaktor. Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruan për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportojë për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njëkohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli. Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë. Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj. ndërkaq nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.
Që nga viti 1999 ai punoi për 10 vite si redaktor dhe gazetar në RTK.
