Talibanët: Nuk duam armiq, do të respektohen të drejtat e grave

Talibanët kanë mbajtur të martën konferencën e parë zyrtare për media në Kabul, prej kur kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Ata kanë thënë se dëshirojnë marrëdhënie paqësore me vendet tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave sipas kornizës së ligjit islamik.

“Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Ai ka thënë se gratë do të lejohen të punojnë dhe të studiojnë dhe “do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda rregullave që përcakton Islami”.

Ai ka thënë edhe se të gjithë përkthyesit dhe punëtorët tjerë, që kanë punuar me forcat e huaja, janë falur dhe se nuk do të ketë hakmarrje kundër tyre.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

“Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t’i dhënë fund luftës në Afganistan”, tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

“Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre”, ka thënë presidenti Biden.

Sipas tij interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka qenë gjithmonë kryesisht në parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti amerikan ka thënë se Qeveria afgane nuk arriti të dëgjojë këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët, duke shtuar se kolapsi i Qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt sesa që kishte pritur administrata e tij.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Go to TOP