Kushtetuesja shfuqizon pronësinë e Bashkisë së Tiranës mbi teatrin
Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka shpallur sot (2 korrik) vendimin në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Sa i takon çështjes kryesore, nëse duhej prishur apo jo ndërtesa e Teatrit Kombëtar, Gjykata nuk arriti të vendosë, pasi nuk siguroi dot numrin e duhur të votave 5. Për këtë shkak kërkesa e palës paditëse u rrëzua.
Por, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të shfuqizojë vendimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama për ta kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës pronën e Teatrit Kombëtar, shembja e të cilit acaroi marrëdhëniet e artdashësve me autoritetet shqiptare dhe pati jehonë përtej Shqipërisë për mënyrën se si ishte zbatuar një veprim i tillë.
Gjykata Kushtetuese e vlerësoi veprimin e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës si antikushtetues dhe kërkoi pezullimin e menjëhershëm të ligjit dhe vendimeve përcjellëse rreth ndërtimit të godinës së re të teatrit, sipas njoftimit të saj.
Pas vendimit pronësia e Teatrit i mbetet përsëri qeverisë, çka kërkon rifillimin e gjithë procedurave për teatrin e ri.
Gjykata Kushtetuese mori këtë vendim gati një vit pasi Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e kishte paditur Qeverinë Rama në maj të vitit 2020 me kërkesën për të shqyrtuar ligjshmërinë e veprimeve të kryeministrit Rama dhe kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Velijaj për të rrënuar godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar në përpjekje për ta revitalizuar atë pronë në përputhje me planin e ri urbanistik të Tiranës të dy liderëve socialist.
Në vendimin e të premtes, Gjykata Kushtetuese theksoi se kishte shfuqizuar edhe ligjin për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Ky ligj, i cili ka paraparë procedurë të veçantë për vlerësimin, negociimin dhe kontratën për objektin e ri të Teatrit kombëtar, është gjetur në kundërshtim me Kushtetutën.
Çështja e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë ishte përshkruar me protesta dhe kishte ngjallur debat të nxehtë në Shqipëri.
Ajo ishte shembur në shpërfillje të një dialogu të brendshëm mes artdashësve, artistëve e shoqërisë civile dhe autoriteteve qeveritare, duke nxitur reagime të ashpra brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshirë nga Komisioni Evropian që atëbotë e kishte quajtur shembjen si mundësi të humbur nga palët për të gjetur një zgjidhje kompromisi.
