Lekaj i reagon Durmishit: S’kam nënshkruar asnjë kontratë për tenderin për mirëmbajtjen e urave

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendësministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi se tenderi për “mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës ishte nënshkruar në kohën kur ai drejtonte këtë dikasteri.

Lekaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë siç është parashkruar nga Durmishi.

Më poshtë postimi i plotë:

Me lajmin e datës 2 Korrik 2021 i shpërndarë në disa media është shpallë një gënjeshtër në opinion me të vetmin qëllim për t’i mbuluar shkeljet dhe veprimet korruptive të 3 muajve të qeverisjes aktuale.

Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç është përshkruar në deklarimet e Durmishit.

Paraqitja e z. Durmishi dhe implikimi i im në deklarimet e tij, sikurse edhe raportimet dhe titujt e mediave janë tendencioze ndaj meje.
Ndërkohë që vetëm gjatë dy muajve të fundit Durmishi në Ministrinë që udhëheqë Liburn Aliu kanë nënshkruar afër 10 milion euro kontrata pa zhvilluar asnjë procedurë të prokurimit dhe të njëjtat nuk janë publikuar fare, duke kontrabanduar në zyrën e Durmishit vlera fiktive dhe të rrejshme.

Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive.

Nuk është hera e parë që jam bërë pjesë e të tilla fushatave dhe persekutimeve të ashpra publike pa asnjë bazë argumentuese, por këto të pavërteta nuk më ndalin.

Go to TOP