Maldini e Leonardo largohen nga federata italiane dhjetë ditë pas emërimit

Paolo Maldini dhe Leonardo kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC), vetëm dhjetë ditë pasi u emëruan në krye të projektit sportiv.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Maldini u largua nga detyra e drejtorit teknik, ndërsa Leonardo nga roli i këshilltarit, pasi nuk u pajtuan me vendimin e presidentit Giovanni Malago për të mos miratuar emërimin e Andrea Pirlos si përzgjedhës të Italisë.

Raportohet se Pirlo u refuzua për shkak të bashkëpunimit të tij me kompaninë ruse të basteve “Fonbet”, si dhe faktit që aktualisht drejton United FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, klub që është në pronësi të biznesmenit rus Sergey Lomakin.

Vetë Pirlo ka mohuar se bashkëpunimi i tij ka prapavijë politike.

“Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt polemikash është vetëm i natyrës komerciale dhe sportive. T’i jepet një kuptim politik kësaj marrëdhënieje do të thotë të më atribuohen bindje që nuk i kam shprehur kurrë”, ka deklaruar ai.

Pas largimit të Maldinit dhe Leonardos, Federata Italiane duhet të nisë sërish kërkimet për trajnerin e ri të kombëtares. Në listën e kandidatëve janë përmendur Roberto Mancini, Antonio Conte, Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola, ndërsa sipas Gianluca Di Marzios, Mancini mbetet favoriti kryesor.


Go to TOP