Pas fitores ndaj Prengës, Joshua synon sfidën me Fury

Anthony Joshua ka kaluar një provë të vështirë përpara se të mposhtte boksierin shqiptar Kristian Prenga në Xhedah, duke mbajtur gjallë shpresat për supersfidën e shumëpritur me Tyson Fury.

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda u rrëzua dy herë në raundin e parë, por reagoi në raundin e dytë. Joshua goditi vazhdimisht Prengën, i cili përfundoi i shtrirë pranë litarëve dhe arbitri e ndërpreu duelin me nokaut teknik.

“Kur gjendesh në një situatë të tillë, duhet të zgjedhësh mes dorëzimit dhe luftës. Unë zgjodha të luftoj”, ka deklaruar Joshua pas fitores.

Menjëherë pas përfundimit të meçit, vëmendja u kthye te përballja e shumëpritur mes Joshua dhe Tyson Fury. Promotori Eddie Hearn e ka konfirmuar se marrëveshja për duelin ekziston dhe këmbënguli se ndeshja duhet të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.

“Kjo është një ndeshje për publikun britanik dhe duhet të zhvillohet në Britani. Tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme”, ka thënë Hearn.

Përballja mes Joshua dhe Fury është një nga duelët më tëpritur në boksin botëror dhe, edhe pse të dy janë në fundin e karrierës së tyre, interesimi i tifozëve mbetet jashtëzakonisht i madh.


Go to TOP