Mbyllet sot Kampionati Ballkanik U17 në Ferizaj, Kosova përballet me Moldavinë

Me ndeshjet e ditës së sotme përmbyllet edicioni i Kampionatit Ballkanik U17 në volejboll për vajza, i organizuar në Ferizaj nën kuadër të Asociacionit Ballkanik të Volejbollit (BVA). Përballjet e fundit do të zhvillohen në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton”, ku do të përcaktohet edhe renditja përfundimtare e skuadrave pjesëmarrëse.

Programi i ditës së fundit nis në orën 12:00 me përballjen ndërmjet Bullgarisë dhe Malit të Zi. Në orën 14:30, Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndaj Moldavisë, në një ndeshje me interes të veçantë për tifozët vendas, ndërsa dita mbyllet me takimin Shqipëri–Turqi, i cili fillon në orën 17:00.

Pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve do të mbahet ceremonia zyrtare e ndarjes së medaljeve dhe çmimeve për skuadrat fituese, si dhe për volejbollistet që janë dalluar me paraqitjet e tyre gjatë kampionatit.

Federata e Volejbollit e Kosovës ka ftuar sportdashësit që të jenë të pranishëm në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj për të mbështetur Kombëtaren e Kosovës dhe për të ndjekur nga afër mbylljen e këtij eventi ballkanik.


Go to TOP