Koci: Një i ri nga Kosova u ndalua nga policia serbe në Horgosh

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se një i ri nga Kosova, i lindur në vitin 1997, është ndaluar të shtunën nga policia serbe në pikën kufitare Horgosh, në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë.

Sipas Kocit, informacioni është marrë nga një person, identitetin e të cilit ai thotë se e ka konfirmuar. Ai ka bërë të ditur se i riu vazhdon të mbahet në ambientet e policisë në pikën kufitare, ndërsa ende nuk ka informacion të konfirmuar për statusin e tij procedural.

Koci ka shkruar se, sipas informacioneve që posedon, gjatë kontrollit të veturës policia serbe ka gjetur një emblemë të UÇK-së nën ulëse, ndërsa i riu, sipas burimit të tij, nuk ka qenë në dijeni se ajo ndodhej aty.

Po ashtu, në automjet janë gjetur edhe disa monedha të argjendta.

Avokati thekson se, deri në këtë fazë, sjellja e policisë serbe ndaj të riut ka qenë korrekte, ndërsa për momentin nuk e ka bërë publik identitetin e tij.

“Po e përcjelli rastin. Nëse ka diçka të re dhe të konfirmuar, do t’ju njoftoj”, ka deklaruar Koci. /Kosova.info/


Go to TOP