Kurti takohet me Sorensenin, diskutohet dialogu Kosovë-Serbi dhe kthimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ku një nga temat kryesore të diskutimit ishte çështja e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti theksoi se rruga për kthimin e tyre duhet të bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke garantuar njëkohësisht karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë, pavarësinë e tij dhe cilësinë e ushtrimit të drejtësisë.
Ai deklaroi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, barazisë së qytetarëve dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve në institucionet e vendit. Sipas tij, të punësuarit në polici, gjyqësor dhe prokurori duhet të zgjidhen mbi bazën e kompetencës profesionale dhe integritetit etik.
Në njoftim thuhet se Kurti vlerësoi se dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në veri të vendit kishin për synim cenimin e përbërjes shumetnike të institucioneve, ndërsa theksoi se zgjidhja duhet të vijë në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Kurti ritheksoi përkushtimin e Kosovës për një qasje konstruktive në dialog, me synim paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe respektimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit. /Kosova.info/
