Hadërgjonaj nuk kënaqet me rekordin personal: Synoj të bëhem edhe më i mirë
Mbrojtësi i krahut të Alanyasporit dhe përfaqësueses së Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka bërë të ditur se nuk planifikon të ndalet pas sezonit më të mirë në karrierën e tij.
31-vjeçari zhvilloi një edicion mbresëlënës me skuadrën turke, duke realizuar nëntë gola dhe 11 asistime në 35 paraqitje në kampionat dhe Kupën e Turqisë, ndërsa Alanyaspori e mbylli sezonin në vendin e 11-të.
Në një prononcim për TRT, Hadërgjonaj tha se paraqitjet e sezonit të kaluar janë vetëm një pikënisje për objektivat e tij të ardhshëm.
“E pata sezonin më të mirë të karrierës. Tani synoj të përmirësohem edhe më shumë dhe të arrijmë suksese të tjera”, u shpreh Hadërgjonaj.
Futbollisti kosovar ka një karrierë të pasur në futbollin evropian, ku ka veshur fanellat e Young Boysit, Ingolstadtit, Huddersfield Townit dhe Kasimpashës, ndërsa synon që formën e lartë ta vazhdojë edhe në sezonin e ri me Alanyasporin.
