Nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet mbi 20 tonë
Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit njofton se për ditën e shtunë, nuk do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale të lejuar mbi 20 tonë.
Sipas parashikimit zyrtar të temperaturave, për nesër nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin e Ministrisë për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit gjatë temperaturave të larta.
“Duke u bazuar në të dhënat zyrtare meteorologjike, kushtet për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit nuk janë përmbushur për datën 26 korrik. Ministria do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të parashikimeve të motit dhe do të informojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim eventual”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Ministria thekson se zbatimi i vendimit për kufizimin e qarkullimit do të bëhet vetëm në ditët kur temperaturat arrijnë pragun e përcaktuar, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe garantimin e sigurisë në komunikacion.
Për çdo ndryshim të situatës, publiku dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen në kohë përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë. /Kosova.info/
