Avokati i Popullit: Fëmijët e shurdhër përballen me pengesa në arsim

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me Rekomandime ex officio nr. 1128/2024, i cili trajton të drejtën për arsim cilësor dhe përdorimin e gjuhës së shenjave për personat e shurdhër në Republikën e Kosovës.

Hetimi është iniciuar pas shqetësimeve të ngritura nga individë dhe organizata të shoqërisë civile, sipas të cilave një numër i konsiderueshëm i personave të shurdhër, megjithëse përfundojnë arsimin e mesëm të lartë me rezultate të mira, nuk arrijnë të fitojnë shkathtësitë bazë të shkrim-leximit.

Në kuadër të hetimit, Avokati i Popullit ka vlerësuar nëse sistemi arsimor në Kosovë garanton të drejtën për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Gjatë procesit të hetimit është zhvilluar komunikim me Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren, ndërsa Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i janë kërkuar informacione lidhur me kurrikulat, përgatitjen profesionale të mësimdhënësve, përdorimin e gjuhës së shenjave dhe masat e ndërmarra për ofrimin e arsimit cilësor për nxënësit e shurdhër dhe ata me dëmtime në dëgjim.

Raporti konstaton se, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore, fëmijët e shurdhër dhe ata me dëmtime në dëgjim vazhdojnë të përballen me pengesa serioze në realizimin e së drejtës për arsim cilësor. Sipas gjetjeve, mungesa e personelit të specializuar, e mësimdhënësve të trajnuar në gjuhën e shenjave, e interpretëve, e materialeve të përshtatshme mësimore dhe e mekanizmave efektivë për vlerësimin e njohurive ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit, rrit rrezikun e diskriminimit dhe kufizon mundësitë për zhvillim dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.

Avokati i Popullit thekson se shteti ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të garantojë arsim cilësor, efektiv dhe të barabartë për çdo fëmijë, pa asnjë formë diskriminimi, duke siguruar që fëmijët e shurdhër të kenë qasje të plotë në arsim dhe mundësi të barabarta për zhvillim, pavarësi dhe integrim në shoqëri.

Përmes raportit, Avokati i Popullit i ka adresuar një sërë rekomandimesh Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndër to kërkohet zbatimi efektiv i dispozitave ligjore për arsimin gjithëpërfshirës, angazhimi i stafit të specializuar shumëdisiplinar në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”, garantimi i zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, instruktorëve dhe interpretëve të gjuhës së shenjave, si dhe zhvillimi i inspektimeve të rregullta për monitorimin e cilësisë së arsimit që u ofrohet nxënësve me dëmtime në dëgjim.

Raporti synon të nxisë ndërmarrjen e masave konkrete institucionale për eliminimin e pengesave ekzistuese dhe për krijimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë, pavarësisht aftësive të tij, të ketë mundësi të barabarta për të mësuar, zhvilluar potencialin dhe marrë pjesë në mënyrë të plotë në jetën shoqërore. /Kosova.info/

Go to TOP