Kurti reagon pas zhvillimeve në KGjK, shton presionin ndaj anëtarëve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapje të mbledhjes së qeverisë sot, njësoj sikurse u.d. presidentja Albulena Haxhiu, foli për çështjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë.
Duke thënë se me dorëheqjet e tyre kishin sabotuar shtetin, Kurti tha se nuk ka të drejtë ligjore t’iu thonë atyre të kthehen.
“Kishim të drejtë politike t’iu thoshim mos shkoni, por s’kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’iu themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, po kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese”, tha Kurti, duke shtuar: “Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit”.
Ngjashëm si Haxhiu edhe Kurti kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të veprojë njëjtë sikurse Këshilli Prokurorial përkundër thirrjeve të Bashkimit Europian për të mos ushtruar presion në vendimmarrjen e Këshillit.
“Këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës e ditë më parë edhe KPK. Ndërsa sot teksa prisnim që edhe KGJK të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”.
Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dështoi të zhvillohej të premten si pasojë e mungesës së kuorumit për vendimmarrje, pasi tre anëtarë të këshillit e sabotuan atë.
