Rasti i administrimit të drejtësisë: Caktohen seancat gjyqësore
Gjykata Speciale njofton se në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, vepra kundër administrimit të drejtësisë, janë caktuar paraprakisht datat 17–19 gusht për mbajtjen e seancave gjyqësore.
“Sikurse është pasqyruar në kalendarin e Gjykatës, në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët lidhur me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë caktuar të mbahen seanca në datat 17–19 gusht 2026. Këto data janë caktuar si indikacion paraprak. Përditësime të mëtejshme do të bëhen kur të ketë më shumë informacion”, njofton Specialja.
Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me Hashim Thaçin, Bashkim Smakaj, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Pas konfirmimit të Aktakuzës, të pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.
Dosja e çështjes iu kalua Gjykatësit të Vetëm për gjykim më 12 nëntor 2025 dhe gjykimi filloi më 27 shkurt 2026. ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 13 mars 2026. Gjatë fazës së paraqitjes së provave të Mbrojtjes, vetëm ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe të Kilajt paraqitën prova, ndërsa një dëshmitare e thirrur nga Mbrojtja e Thaçit dëshmoi në sallë të gjyqit më 11 dhe 12 maj 2026. Të gjitha ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre midis 14 dhe 18 majit 2026.
