BE-ja kritikon rrënimin e vilave në Ujman, ngre shqetësime për sundimin e ligjit

Bashkimi Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit të martën, ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedurat gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc për lirimin dhe pastrimin e tokës.

Përmes një reagimi, BE-ja ka shprehur shqetësim për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë rast, si dhe në disa raste të tjera të ngjashme në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti, transmeton Klankosova.tv.

Me anë të një postimi në Facebook, ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur.

“Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme. Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë

“Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”.

Go to TOP